Varësia nga kafeja: A me të vërtetë njerëzit konsumojnë kafe me tepri?


Autoritetet shprehin shqetësimin se kafeina po përhapet në pije energjike dhe ushqime në mënyrë të pakontrolluar, ndryshe nga kafeja e zakonshme, për të cilën njerëzit përcaktojnë limite për veten
Jon Kelly, BBC


Zyrtarët amerikanë po hetojnë sigurinë e kafeinës në ushqime të gatshme dhe pije energjike, të shqetësuar mbi “ndikimin kumulativ” të stimulantit, i cili po i shtohet një numri gjithnjë e më të madh produktesh ushqimore.
A është shoqëria jonë e ushqyer me kafe dhe çaj tepër e varur nga droga më e pëlqyer e planetit?
Ibriku zien, aroma përhapet në dhomë dhe kjo është gjëja e parë që na prek qiellza në mëngjes. Është një ritual pa të cilin një ditë pune mund të jetë e tmerrshme. Dhe kjo është çfarë mendojnë miliona njerëz.
Kafeina është, sipas një reviste shkencore, “droga psikoaktive” më popullore në planet. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 90 për qind e të rriturve e përdorin atë çdo ditë.
Por tashmë edhe SHBA-ja, atdheu i “Coca Cola”, “Starbucks” dhe pijes energjike “5-hours”, po vë në pikëpyetje mençurinë e shtimit të kafesë tek ushqimet e përditshme si vaferat, farat e lulediellit apo çamçakëzët.
Në një deklaratë, Agjencia Amerikane Për Ushqimet dhe Ilaçet (FDA) vuri në dukje “shembullin e pakëndshëm” të një prodhuesi çamçakëzësh, që nxori në shitje pako me tetë çamçakëzë, ku secili prej tyre përmbante aq kafeinë sa një gjysmë filxhani kafe. Për rrjedhojë të deklaratës, kompania “Wrigley” tha se do të “pezullojë” prodhimin e këtij lloji çamçakëzi.
Agjencia po sheh gjithashtu edhe pije energjike me përmbajtje të lartë kafeine dhe thotë se është e shqetësuar mbi “impaktin kumulativ” të shtimit të nxitësve te produktet.
Sipas administratës amerikane të shërbimeve për abuzimet me substancat dhe shëndetit mendor, numri i njerëzve që kërkojnë ndihmë në urgjencë pasi kanë konsumuar pije energjike, është dyfishuar në më shumë se 20 mijë vetë në vitin 2011.
Gjithsesi, industria e pijeve energjike thonë se produktet e tyre janë të sigurta dhe këmbëngulin se nuk ka prova për ndonjë pasojë të dëmshme.
Ka pasur raste të dokumentuara të overdozave fatale të shkaktuara nga “toksikimi me kafeinë”, megjithëse këto janë shumë të rralla. Shkencëtarët në Universitetin “Johns Hopkins”, që studiojnë cilësitë e kafeinës që shkaktojnë varësi, kanë zbuluar se heqja dorë nga kafeja mbart simptoma të tilla si shenja lodhje, dhimbje koke, vështirësi në përqendrim, dhimbje muskujsh dhe të përziera.
Por nuk ka asnjë lloj konsensusi shkencor që të thotë se përdorimi i kafeinës është i dëmshëm. Një studim i fundit nga Shkolla e Shëndetit Publik në Harvard, sugjeron që “konsumimi i kafesë nuk ka asnjë pasojë negative serioze në shëndet” dhe se po të pish deri në gjashtë filxhanë në ditë (kafe amerikane) “nuk ka asnjë rritje rreziku për vdekje nga asnjë shkak i mundshëm”.
Në masa të moderuara, kafeina mund të ketë disa efekte pozitive. Kërkimet e ndryshme sugjerojnë se konsumimi i kafesë mund të sjellë reduktim të rrezikut për kancerin e prostatës dhe kancerin e gjirit. Një studim i fundit argumentoi se pirja e kafesë dhe çajit shoqërohet me një normë më të ulët rreziku për diabetin e tipit 2.
Për rrjedhojë, FDA-ja ka premtuar se do të punojë për të përcaktuar se cili është niveli i duhur i konsumit të kafeinës. Lëvizja e agjencisë është mikpritur nga ata që kanë frikë se kafeina ka zënë tepër hapësirë në jetët tona, duke u shfaqur shpesh në produkte ku nuk pritet të jetë.
“Shumë njerëz thjesht nuk janë të ndërgjegjshëm sesa shumë kafeinë po konsumojnë”, thotë Lynne Goldman, dekane e Shkollës për Shëndetin Publik në Universitetin “George Washington”. Për rrjedhojë, thotë ajo, ata mund të krijojnë në mënyrë të pandërgjegjshme probleme për veten, të tilla si pagjumësi, mungesë tretjeje dhe presion të lartë gjaku.
Është veçanërisht shqetësuese për prindërit, të cilët mund të mos e kenë të lehtë të rregullojnë nivelin e konsumit të kafeinës nga fëmijët.
Por të sfidosh hegjemoninë e kafeinës mund të jetë një detyrë e vështirë në një planet që konsumon 120 mijë tonë nga kjo substancë çdo vit.
Në Finlandë, vendi më i kafeinizuar i botës, një i rritur konsumon mesatarisht 400 mg nga kjo drogë çdo ditë, e barabartë me katër apo pesë filxhanë kafeje, dhe e barabartë me limitin maksimal të rekomanduar nga Agjencia Britanike për Standardet Ushqimore.
“Ne mendojmë se kur përdoret në mënyrë të moderuar, kafeina nuk sjell asnjë rrezik”, thotë Sanna Kiuru, një zyrtar i lartë tek “Evira”, agjencia e sigurisë ushqimore të Finlandës. “Në përgjithësi janë të rriturit ata që pinë kafe, jo fëmijët. Për ne niveli i konsumit është i moderuar.”
Por edhe të dashurit e mëdhenj të kafesë, finlandezët, janë shqetësuar nga rritja e fortë e pranisë së stimulantit në trupin e tyre.
“Ne kemi qenë të shqetësuar mbi rritjen e pranisë së kafeinës në ushqime të ndryshme”, thotë Kiuri. Pijet energjike me kafeinë të shumtë në Finlandë janë detyruar të mbajnë etiketa paralajmëruese, një praktikë që do të shtrihet në të gjithë Bashkimin Europian nga viti 2014.
“Për shumicën e konsumatorëve të kafeinës, përfitimi kryesor është që duke nxitur vëmendjen, ndihmon të bësh më shumë punë. Kjo është ajo çfarë e bën të veçantë kafeinën mes substancave që përdoren për kënaqësi”, thotë Stephen Braun, autor i një libri mbi alkoolin dhe kafeinën.
“Joshja jonë nga kafeja është se ajo na ndihmon të fitojmë para”, shton ai. “Ajo që e dallon nga drogat e tjera është se përdoret si një mjet për të përmirësuar produktivitetin, jo për kënaqësi, si kanabisi, apo si një relaksues, si alkooli.”
Analogjia më e afërt ndoshta është gjethja e kokas, e cila përtypet nga punëtorët për t’u dhënë atyre energji shtesë në vende si Peruja dhe Bolivia.
Nuk është rastësi, beson Braun, që popullariteti i kafeinës shpërtheu në Europë në shfaqjen e revolucionit industrial, kur gara për produktivitet gjithnjë e më të lartë u përshpejtua.
Shumë nga mendjet krijuese të historisë janë lidhur gjithashtu me disa tregime me të vërtetë epike mbi konsumimin e kafeinës. Sipas një biografi, shkrimtari francez Balzak pinte deri në 50 kafe në ditë. “Nëse nuk do të ishte për kafenë, nuk do të mund të shkruash dhe nëse nuk mund të shkruash, atëherë nuk mund të jetosh”, tha ai në një rast.
Për shtatë vjet, regjisori David Lynch konsumoi të njëjtën darkë në Los Anxhelos çdo ditë, duke pirë deri në shtatë filxhanë me kafe të ëmbëlsuar “me shumë sheqer”, në një stil jetese që garantonte “shumë ide të mira”.
Ludvig van Bethoven thuhej se me durim të jashtëzakonshëm numëronte 60 kokrra kafeje për filxhan kur e përgatiste atë. Ndoshta tregimi më i mirëpublikuar i kohëve të fundit mbi konsumimin e tepërt të kafeinës është ai i këngëtarit Robbie Williams, për të cilin thuhet se konsumonte 36 filxhanë ekspres kopjo dhe 20 kanoçe pije energjike çdo ditë.
“Në fakt pirja e kafesë kthehet në një detyrë rutinë, po aq sa edhe cilësitë nxitëse të kafeinës, ato që e bëjnë procesin kaq të rëndësishëm”, thotë Mason Currey, autor i një libri me titull “Rituale të përditshme: Si punojnë artistët”.
“Shumë artisë përdorin procesin e bërjes së kafesë si një rrugë drejt procesit krijues”, shton ai. “Duhet të krijosh kushtet e përshtatshme mendore për të bërë këtë lloj pune dhe rituali i përgatitjes siguron përqendrimin.”
Por përpjekjet për të ndaluar përhapjen e kësaj substance historikisht kanë rezultuar të pafrytshme. Më 1911-n, qeveria e SHBA-së hodhi në gjyq “Coca Cola”-n për arsye se besonte se kafeina në pijet e saj ishte “e dëmshme për shëndetin”, por kompania triumfoi nëpër gjykata.
Një nga problemet në përpjekjet për të rregulluar këtë substancë, thotë Braun, është se ajo ndikon te njerëz të ndryshëm në mënyra të ndryshme – njerëzit kanë psikologji dhe metabolizëm të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe kjo gjë e bën të vështirë përcaktimin e një limiti maksimal sigurie që të mund të funksionojë për çdokënd.
“Si përfundim, duhet të bëhesh shkencëtar i vetvetes – nuk ka një alternativë për eksperimentim mbi veten”, thotë ai.
Shumica e njerëzve e kanë kuptuar vetë se sa shumë, sa pak çaj apo kafe mund t’i lejojnë vetes. Por kritikët thonë se kjo nuk vlen për rastet e pijeve energjike dhe ushqimeve të përbëra me kafeinë, efektet e të cilave argumentohet se janë më të vështira për t’u gjykuar nga vetë njerëzit.
Gjithsesi, sado fitimprurëse të jenë këto produkte për prodhuesit e vet, Currey dyshon se ato kurrë nuk do të marrin mistikën që kanë filxhanët e kafesë apo çajit.
“Ka diçka që nuk është fare speciale në këto produktet e reja”, thotë ai.
“Po të blesh një pije energjike në një dyqan mallrash të lirë, nuk e ka kurrsesi klimën e shijimit të një filxhani kafeje. Unë nuk mund të imagjinoj biografët e artistëve dhe shkrimtarëve të së ardhmes duke përshkruar konsumimin e pijeve energjike me të njëjtën dashuri siç është përshkruar konsumimi i kafesë nga artistët e së shkuarës.”


Sa e shëndetshme është kafeja juaj?

Në anën pozitive, kafeja njihet se është një produkt përplot me antioksidantë, të cilat ndalojnë molekulat e tjera që të oksidohen dhe të prodhojnë radikalë të lirë.
Gratë që pinë dy apo më shumë kafe në ditë kanë më pak gjasa të hyjnë në depresion, arsyetojnë disa studime.
Gjithsesi, ka studime që kanë vënë re një lidhje mes konsumit të lartë të kafeinës dhe nivelit të lartë të kolesterolit apo presionit të lartë të gjakut.

Kafeina sipas pijes

Pija Kafeina (mg)    Sasia
Kafe 77-150     170g
Çaj  40-80 142g
Coca-Cola  34.5 340g
Pepsi 38   340g
Red Bull   80   235g
Burimi: ARIZONA STATE UNIVERSITY

Konsumuesit më të mëdhenj të kafesë në botë për banor në vit

Finlanda: 12 kg
Norvegjia: 9.9 kg
Islanda: 9 kg
Danimarka: 8.7 kg
Holanda: 8.4 kg
Suedia: 8.2 kg
Zvicra: 7.9 kg
Belgjika: 6.8 kg
Kanadaja: 6.5 kg
Bosnja dhe Hercegovina: 6.2 kg

Google+ Followers