Këshilla dhe receta popullore për të luftuar diabetin dhe sëmundjet e zemrës

DENISA SPAHO



Sado të evoluojë mjekësia dhe shkenca, gjithmonë do të mbështeten tek përvoja njerëzore. Prandaj në jo pak raste shkenca mjekësore i është referuar përvojës nga disa mijëra vjet më parë e më pas me realizimin e ilaçeve. Sot do të flasim për sëmundjet e zemrës dhe diabetit, si ndikojnë këto sëmundje tek njëra-tjetra, si shfaqen, si përparojnë dhe zhvillohen në trupin e njeriut, por edhe këshilla dhe informacion të dobishëm për parandalimin dhe kurimin këtyre sëmundjeve. Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa diabeti arrin të prekë e të dëmtojë aq heshtazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut duke krijuar aksidente kaq dramatike e madje tragjike. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Nuk dihet ende se cili është numri i saktë i të sëmurëve me diabet, por personat që ankohen për shqetësimet që të sjell kjo sëmundje shtohen çdo ditë e më shumë. Ndërkohë që nuk ka ende një kurë të për diabetin, doktorët shprehen se mbajtja e një diete të rregullt, respektimi i saj në çdo detaj, është mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll gjendjen. Diabeti arrin mjaft shpesh t'i mashtroje viktimat e tij. Shumë shpesh diabeti shkakton dhe sëmundjen e zemrës në organizëm, duke shkaktuar shqetësime dhe ndërlikime të shumta. Shumë prej këtyre shqetësimeve që prekin organin më jetik në organizëm, zemrën, mund të parandalohen vetëm duke ndjekur disa këshilla të thjeshta. Kështu në numrin e sotëm ju do të mësoni si ta kontrolloni vetë hipertensionin arterial, si të shmangni problemet kardiake. Frutat dhe zarzavatet mbrojnë kapilarët e gjakut, peshku ul tensionin e gjakut, duhani shkakton çarjen e kapilarëve, lëngu i limonit ul tensionin, vera e kuqe ul rrezikun e atakut. Këto dhe shumë këshilla e rekomandime të tjera të mjekëve, në suplementin e sotëm prej gjashtë faqesh në gazetën “Tirana Observer”, për të mbrojtur zemrën nga ataku, por jo vetëm kaq. Në këtë speciale ju do të njiheni me simptomat që e shoqërojnë diabetin, shkaktarët, faktorët parandalues, recetat popullore kuruese dhe disa medikamente mjekësore. Cilat janë ushqimet që duhet të jenë pjesë e dietës tuaj të përditshme dhe cilat duhet t’i shmangni. Prej mosdijes, apo mosnjohjes së tij, shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t'i lidhin me të. Si të mos gënjeheni nga forma apo paraqitja e "butë" e diabetit. Si ndikon diabeti i pamjekuar ose i mjekuar keq krijon në shfaqjen e ndërlikimeve të ndryshme? Këto e shumë të tjera këshilla e njohuri që ju duhet t’i dini, keni mundësinë t’i lexoni sot në gazetën tonë.

Sëmundja e zemrës e shkaktuar nga diabeti
Sëmundja e zemrës është e shpeshtë tek njerëzit me diabet. Statistikat vlerësojnë se sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru janë përgjegjëse për 2/3 deri në 3/4 e vdekjeve në mesin e personave me diabet.Derisa të gjithë njerëzit me diabet kanë shanse të rritura të zhvillimit të sëmundjes së zemrës, kjo është më e shpeshtë tek ata me tipin 2 të diabetit. Një prej dëshmive të para që tregojnë se njerëzit me diabet janë më të prirë ndaj sëmundjes së zemrës ka qenë një studim i gjerë i njohur si “Framingham study”. Ky studim ka analizuar disa gjenerata për të përcaktuar faktorët e paraqitjes së sëmundjes së zemrës.Studimi ka treguar faktorë të shumtë që mund të rrisin gjasat për zhvillim të saj. Një rrezik i dukshëm ishte të qenit me diabet. Nga të tjerat janë përfshirë tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, nivelet e rritura të kolesterolit dhe historia familjare e sëmundjes së hershme të zemrës.Sa më shumë faktorë të rrezikut që ka pasur personi, gjasat për tu prekur nga sëmundja e zemrës kanë qenë më të larta. Si çdokush tjetër, njerëzit me diabet kanë një rrezik të rritur të vdesin nga sëmundja e zemrës nëse ata kanë më shumë faktorë të rrezikut. Sidoqoftë, gjasat janë më të larta tek personat me diabet. Andaj, derisa një person me një faktor të rrezikut mund të ketë gjasa reale të vdesë nga sulmi në zemër, personi me diabet ka rrezik të dyfishtë ose madje të katërfishtë.Një studim, për shembull, ka gjetur se njerëzit me diabet të cilët nuk kanë pasur faktorë të tjerë të rrezikut nga sëmundja e zemrës kanë qenë 5 herë më të prirë të vdesin nga kjo sëmundje, krahasuar me ata pa diabet. Një studim tjetër ka treguar se njerëzit me nivel të lartë të sheqerit, pavarësisht prej numrit të faktorëve të tjerë të rrezikut të sëmundjes së zemrës, ishin po aq të prirë të kenë sulm në zemër sa edhe personat jo diabetikë të cilët kanë pasur tashmë sulm në zemër.Kështu që, diabeti konsiderohet i barabartë me sëmundjen e zemrës. Dhe, ekspertët rekomandojnë që të gjithë njerëzit me diabet duhet t’i trajtojnë faktorët e rrezikut të sëmundjes së zemrës po aq fort sa edhe njerëzit që tashmë kanë pasur sulme në zemër.
Nga se shkaktohet sëmundja e zemrës?
Shkak më i shpeshtë i çrregullimeve në zemrën e një personi me diabet është forcimi i arterieve ose ateroskleroza, që shkaktohet nga kolesteroli në enët e gjakut, të cilat e dërgojnë oksigjenin dhe ushqimin në zemër.Pllakëzat e kolesterolit që formohen, mund të copëtohen ose thyhen duke e bërë gjakun të dendur dhe duke bllokuar enët e gjakut. Kjo mund të pasohet me sulm në zemër. I njëjti proces ngjan në të gjitha arteriet e trupit, duke çuar në mungesë të gjakut në tru, duke shkaktuar sulme në tru ose mungesë të gjakut në këmbë, duar ose kraharorë duke shkaktuar çrregullime vaskulare periferike.Njerëzit me diabet janë po ashtu në rrezik të lartë nga pamjaftueshmëria e zemrës, gjendje në të cilën zemra nuk është në gjendje të pompojë gjakun në mënyrë të duhur. Kjo mund të bëjë që lëngjet të grumbullohen në mushkëri duke shkaktuar vështirësi në frymëmarrje, ose rikthim të lëngjeve në pjesët tjera të trupit (veçanërisht këmbë) që shkakton ënjtje.
Si trajtohet sëmundja e zemrës?
* Ekzistojnë disa opsione të trajtimit varësisht prej shpeshtësisë së sëmundjes, përfshirë:
* Terapia me aspirinë për të ulur rrezikun e mpiksjes që çon në sulme në zemër dhe në tru.
* Ushqimi.
* Ushtrime fizike jo vetëm për humbjen e peshës, por për të rritur kontrollin e glukozës, shtypjes së lartë të gjakut, niveleve të kolesterolit dhe për të ulur trashësinë abdominale, faktorin e rrezikut të sëmundjes së zemrës.
* Barnat.
* Operacioni.

Cilat janë shenjat e çrregullimit të zemrës?

* Simptomat e sëmundjes së zemrës përfshijnë:
* Frymëmarrje të shkurta.
* Ndjenja e dobësisë.
* Ndjenja e marramendjes.
* Djersitje e tepruar dhe e pashpjegueshme.
* Dhembje në kraharorë, grykë dhe në krahun e majtë.
* Dhimbje ose presion në gjoks (veçanërisht gjatë aktivitetit).
* Nauze (mundim).
* Nëse keni ndonjë prej këtyre simptomave, duhet të thërrisni mjekut tuaj ose të drejtoheni menjëherë tek shërbimi më i afërt i emergjencës.

Sëmundja vaskulare periferike ka këto simptoma:

* Ngërçe në këmbë derisa ecni.
* Këmbë të ftohta.
* Puls i ulur ose mungesë e pulsit në shputa ose këmbë.
* Humbje e dhjamit nën lëkurë të pjesëve më të poshtme të këmbëve.
* Humbje e qimeve në pjesët më të ulëta të këmbëve.

Si trajtohet çrregullimi vaskular periferik?

* Angazhimi në një program të rregullt të ecjes (45 minuta në ditë, i pasuar me pushim)
* Mbathja e këpucëve speciale
* Terapia me aspirinë
* Barnat
* Mos pirrja e duhanit
* Doza të ulëta të aspirinës rekomandohen për burrat dhe gratë me diabet të cilët janë mbi moshën 30-vjeçare dhe janë në rrezik të lartë nga sëmundja e zemrës dhe sëmundja periferike vaskulare. Flisni me doktorin tuaj për të përcaktuar nëse terapia me aspirinë është e nevojshme për ju. Nëse keni sëmundje të caktuara, terapia me aspirinë mund të mos rekomandohet.

Si mund të parandalohet çrregullimi i zemrës tek personat me diabet?

* Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e zemrës dhe të enëve të gjakut është të kujdeseni mirë për veten dhe diabetin tuaj. Mbani glukozën në gjak në nivel sa më normal që mundeni.
* Kontrolloni shtypjen e gjakut, nëse është e nevojshme merrni edhe barna. Njerëzit me diabet duhet të kenë shtypjen nën 130/80.
* Mbani kolesterolin nën kontroll. Ndoshta do të keni nevojë për barna për ta bërë këtë.
* Humbisni peshën nëse jeni të mbipeshë.
* Pyeteni mjekun tuaj nëse duhet të merrni aspirinë ditor.
* Merruni me ushtrime fizike rregullisht.
* Hani ushqim të shëndetshëm për zemrën, të pakët me yndyra dhe kripë.
* Lëreni duhanin.

Diabeti 
Diabeti është çrregullimi i metabolizmit që reflektohet në paraqitjen e sasisë jonormale të glukozës në gjak, si pasojë e rezistencës së qelizave të gjakut ndaj insulinës, apo si pasojë e sasisë së vogël të insulinës së sekretuar nga pankreasi. Janë dy gjendje që mund të shkaktohen nga diabeti i sheqerit, hiperglicemia (niveli i lartë i glukozës) dhe hipoglicemia (niveli, i ultë i glukozës). Terapia e ilaçeve mund të parandalojë përparimin e mëtejshëm të diabetit tek miliona njerëz, të cilët kanë një stad të lart të rrezikshmërisë të sëmundjes, shumë studime sugjerojnë mënyrat e duhura për ta. Gati 5 për qind e popullsisë së botës është e sëmurë me diabet, dhe gati 7 për qind janë paradiabetikë. Kjo lloj sëmundje zhvillohet zakonisht në moshë madhore dhe tek pacientët, të cilët kanë nivel të lartë të sheqerit në gjak, sepse qelizat e tyre janë bërë rezistente ndaj insulinës, hormoni që stabilizon ngritjen e sheqerit në gjak.
Simptomat: 
- Pacienti ha shumë.
- Pi shumë ujë.
- Urinon shpesh.
- Humbet peshë.
- Mund të ketë kriza të ketocidozës diabetike.
Ja disa këshilla kundër diabetit:
- Ecni sa më shumë, për shembull duke shkuar më këmbë në shkollë.
- Hani në mënyrë të shëndetshme e duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer.
- Qëndroni sa më pak ulur para televizorit, kompjuterit apo video-lojërave.
- Bëni aktivitet të rregullt fizik dhe duke fjetur sa më shumë.
- Hani medoemos mëngjes.

Kuroni diabetin me zarzavate të gjelbra 
Është vërtetuar se zarzavatet e gjelbra, veçanërisht të gjalla, për të gjithë ata që vuajnë nga diabeti duhet t’i përdorin çdo ditë, në drekë dhe darkë, në sasi të bollshme. Zarzavatet e gjelbra përmbajnë antioksidantë, vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Të gjitha perimet përmbajnë vitaminë C në përqindje të ndryshme, sipas llojit të bimëve. Njëzetë e katër orë pas këputjes, ato humbin 10-15% të vitaminës C. Gjatë gatimit humbin jo vetëm gjithë vitaminën C, por dhe shumicën e mineraleve. Por uji në të cilin ato janë zier përmban mikromineralet e dobishme, si kaliumi, magnezi dhe zinku, prandaj dhe mund të përdoret për të gatuar supë. Nisur nga veçoritë e mësipërme, zarzavatet e gjelbra janë shumë të dobishme për diabetikët.

Merrni sasinë e nevojshme të vitaminës C 
Dozat e larta të vitaminës C në organizëm zvogëlojnë për gati 50% rrezikun nga sulmi në kokë. Pikërisht për këtë rekomandohet që të ushqehemi me pesë deri në nëntë lugë lëng perimesh në ditë. Me sasinë e vitaminës C në trup mund të parandalohet mundësia e sulmit në tru, kjo është bërë e ditur pas një hulumtimi të gjerë të kryer me rreth 20.000 persona të moshës së mesme dhe të vjetër, të kryer në Norfolk të Britanisë së Madhe. Efektet mbrojtëse të vitaminës C kundër sulmit në tru janë të vërtetueshme duke marrë parasysh faktorët të tillë si mosha, gjinia, pirja e duhanit, alkooli, indeksi i masës trupore, shtypja, kolesteroli, aktiviteti fizik, diabeti, sulmet e menjëhershme në zemër, marrja e ilaçeve dhe statusi shoqëror.

Mungesa e kromit shkakton diabet 
Kromi u identifikua si një nga mineralet në trupin e njeriut vetëm 30 vjet më parë. Studimet për të vazhdojnë akoma. Kromi është pjesë e një përbërje që bën të mundur insulinën të punojë. Është gjithashtu i rëndësishëm në metabolizëm dhe strukturën gjenetike. Për shkak të njohurive jo të mjaftueshme për këtë kripë minerale është e vështirë të dallohen shenja të veçanta, në mungesë të tij. Megjithatë dihet se mund të shkaktojë rritje të kolesterolit në gjak. Në studimet e bëra tek kafshët, mungesa e kromit shkakton një sëmundje, që është shumë e ngjashme me diabetin. Gjendet kryesisht tek mishi, drithërat, fasulet e thata, thjerrëzat, lajthia, peshku dhe prodhime të tjera nga deti.

Konsumoni kripën sa më pak të jetë u mundur
Përdoreni atë sa më pak të jetë e mundur. Mos harroni se çdo produkt i krijuar nga natyra nuk është i kripur në shijen e tij, ai është zakonisht i ëmbël ose i athët. Po ashtu kripa gjendet te uji i detit i cili nuk rekomandohet të pihet veç rasteve kur personi është i etur dhe nuk ka si të veprojë ndryshe. Shtoni lakrat në dietën tuaj ditore. Konsumoni gjethet jeshile të spinaqit, sallatës për sëmundjet e zemrës dhe diabetit. Thjerrëzat po ashtu janë të pasura me lëndë ushqyese si dhe përbërës tonike të domosdoshme për organizmin.

Hiqni dorë nga pijet me ngjyrë
Shkencëtarët në Boston, kanë zbuluar se, duke pirë rregullisht pije freskuese të ngjyrosura çdo ditë, ju dyfishoni rrezikun e sindromës së metabolizmit, sindromë e cila, përfshin një sërë shqetësimesh, siç janë: tensioni i lartë, vlera të larta të insulinës, shtimi në peshë, që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Shkaktari i tyre mund të jetë substanca ngjyruese e këtyre pijeve, e cila ka rritur rrezikun e kësaj sindrome në eksperimentet që janë bërë tek kafshët. “Shkencëtarët, gjithashtu, mendojnë se, ata që pinë të tilla pije, janë të prirur të zgjedhin gjithmonë ushqime të ëmbla, të cilat çojnë drejt shtimit në peshë”, - thotë Vasan S. Ramachandran-i, M.D.,profesor mjekësie në Universitetin e Bostonit, në të cilin ka qenë udhëheqësi i studimit.

Manual i ri me këshilla për diabetikët 
Shoqata amerikane e diabetit publikoi një manual të ri me këshilla dietetike për 16 milionë personat që vuajnë nga sëmundja e sheqerit në shtetet e bashkuara. Për herë të parë, Kjo shoqatë po rekomandon ushtrimet fizike si një mënyrë për mbajtjen e diabetit nën kontroll. Ndërsa këshillat synojnë përmirësimin trajtimin dhe të parandalimin e diabetit, Ato përqendrohen veçanërisht në ndryshimin e jetës së pacientëve. Zbatimi i këshillave do të ndikojë ndaj krejt mënyrës së jetesës. Për herë të parë, shoqata rekomandon ushtrime për të 16 milionë amerikanët që vuajnë nga diabeti. Ushtrimet pakësojnë nivelin e sheqerit në gjak dhe parandalojnë diabetin tek të rriturit e rrezikuar. Shoqata thotë gjithashtu se diabetikët nuk kanë nevojë të shmangin ëmbëlsirat, Si tortat apo akulloret, Për sa kohë që tregohen të përmbajtur në ngrënie dhe ekuilibrimin e tyre me sasinë e duhur të insulinës. Shumë specialistë diabeti i këshillojnë tashmë pacientët e tyre se mund të hanë ushqime me sheqer, Në qoftë se marrin masa për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak. Në manual theksohet se nuk ka ndonjë dietë apo mënyrë jetese që mund funksionojë për të gjithë diabetikët. Por një dietë e planifikuar si kjo që përdor ky njeri, duhet të përshtatet për secilin me ndihmën e mjekut. Pra, të mbajë nën kontroll gjendjen e tij duke kontrolluar çfarë ha.

Çaji i manaferrës për diabetikët
Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.

Kujdesi për pacientët me diabet të tipit 2 
Shumë mjekë u rekomandojnë pacientëve me diabet të tipit 2 që ta masin vetë nivelin e sheqerit në gjak. Por studimet e fundit tregojnë se një gjë e tillë mund t’i sjellë pacientit më shumë dëme sesa të dobi. Tashmë është bërë e zakonshme që njerëzit me diabet të tipit 1, ta masin vetë nivelin e sheqerit në gjak dhe të marrin vetë insulinë sipas nevojës, por shumë pacientë vuajnë nga Diabet i tipit 2 që zhvillohet më vonë në jetë. Shërbimet e shëndetit shpenzojnë miliona dollarë për t’i mësuar diabetikët se si të kujdesen për veten. Por gjatë një studimi, mjekët vëzhguan 184 pacientë të diagnostikuar me Diabet të tipit 2.

Meshkujt më të prekur nga diabeti
Kohët e fundit specialistët e shëndetësisë kanë arritur në përfundimin se meshkujt janë më të predispozuar për t'u prekur nga sëmundja e sheqerit. Gjithashtu përkrahësit e punës kërkimore në fushën e qelizave zanafillëse thonë se klonimi mund të çojë në kura shumë të efektshme për sëmundje si diabeti. Sipas specialistëve mosha ndikon shumë në shfaqjen e diabetit. Diabeti tip 1 zë rreth 10 % të të sëmurëve me diabet, ndërsa diabeti tip 2 zë një përqindje më të vogël se i pari dhe është më i shpeshtë se ai. Diabetikët me diabet tip 2 si rregull kanë ndërlikime kronike. Sipas të dhënave të OBSH, në botë në vitin 2025 do jenë rreth 300 milionë diabetikë, ndërkohë që numërohen rreth 170-180 milionë diabëtike. Aktualisht në vendin tonë numri i diabetikëve është gjithmonë në rritje dhe nga 0.7 dhe 0.8 për qind që ka qenë në shekullin e kaluar, ka arritur rreth 2-3 për qind dhe kjo shifër do jetë gjithmonë në rritje.

Kuroni diabetin, duke rregulluar gjumin
Të kurosh diabetin, duke zgjidhur problemet që mund të keni me gjumin. Kjo është këshilla më e fundit që japin shkencëtarët, pas një sërë ekzaminimesh dhe analizash pa fund që bëjnë një lidhje mes sëmundjes dhe gjumit jo të mirë që bëhet gjatë natës.
Zbulimi, bërë në një studio të madhe të ADN-së, mori në shqyrtim më shumë se 36 mijë evropianë, diabetikë ose jo diabetikë, të të gjitha moshave. Ekspertët zbuluan një lloj mutacioni në gjenin "MTNR1B" që për shkencëtarët u etiketua si "hormoni i gjumit". Melatonina është një rregullues i rëndësishëm i ritmit gjumë/zgjim, dhe prodhohet gjatë natës, duke arritur një lloj kulmi gjatë kësaj kohe, ndërkohë që gjatë mëngjesit nis e pakësohet. Përkundër kësaj, insulina hormoni që rregullon sheqerin në gjak prodhohet gjatë ditës, ndërkohë që gjatë natës prania e saj vjen duke u zvogëluar. Prej kohësh dihej se të flije pak bën keq për shëndetin dhe kjo ishte e lidhur më rrezikun e diabetit, por nuk diheshin deri më tani arsyet. Studimi, i drejtuar nga Philippe Froguel arriti të bënte lidhjen mes dy problemeve.

Lidhjet e diabetit me depresionin
Një studim i ri vendos lidhjen midis diabetit dhe depresionit. Studimi i kryer nga shkencëtarët pranë universitetit Xhons Hopkins në Meriland, thotë se njerëzit që vuajnë nga depresioni kanë më shumë gjasa të preken nga diabeti dhe anasjelltas. Shkencëtarët pranë shkollës mjekësore të universitetit Xhons Hopkins në Baltimore thonë se disa pacientë mund të kenë nevojë të trajtohen njëkohësisht për diabet e depresion. Kjo për arsye se gjatë studimit ata gjetën një lidhje midis këtyre dy sëmundjeve. Mjekja Sherita Golden dhe një grup shkencëtarësh vëzhguan 5 mijë pacientë për një periudhë 3-vjeçare. Ata vunë re se pacientët që nuk flinin mirë ose nuk kishin oreks, të gjitha këto simptoma të depresionit, ishin më në rrezik të prekeshin nga diabeti sesa të tjerët pa këto simptoma. Mjekja Golden thotë se depresioni duket se i parandalon njerëzit për t'u kujdesur për shëndetin e tyre. Këto qëndrime shtojnë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Gjatë studimit, shkencëtarët gjithashtu vunë re se personat me diabet të tipit 2 ishin më shumë në rrezik të prekeshin nga depresioni sesa ata që nuk vuanin nga diabeti. Mjekja Golden thotë se personat që trajtohen për diabet janë më në rrezik të preken nga depresioni dhe kur preken, kjo gjendje ndikon në aftësitë e tyre për të luftuar diabetin.

Ushqimet që përdoren për të luftuar diabetin 
Nuk dihet ende se cili është numri i saktë i të sëmurëve me diabet, por personat që ankohen për shqetësimet që të sjell kjo sëmundje shtohen çdo ditë e më shumë. Ndërkohë që nuk ka ende një kurë të për diabetin, doktorët shprehen se mbajtja e një diete të rregullt, respektimi i saj në çdo detaj, është mënyra më e mirë për të mbajtur nën kontroll gjendjen. “Marrja parasysh e lëndëve të përbëra natyrale, është një alternativë që mund të evitojë deri diku rekomandimin e ilaçeve”, thotë Richard A. Andreson, drejtor i shkencës në departamentin e Agrokulurës në Beltseville. “Mesazhi që po përpiqemi të dërgojmë, është se nuk duhet të mbështetemi vetëm në ilaçet që mund të ngadalësojnë apo parandalojnë diabetin, duhet në mënyrën më maksimale që të përpiqemi të ndryshojmë zakonet e të ngrënit”, shton ai.

Çfarë duhet të konsumoni?
1. Çaj. Kimikatet e njohura si “fonifenol” të gjetura në jeshilen, të zezën, ngrenë aktivitetin e insulinës.
2. Kanellë. Më pak se gjysmë luge çaji në ditë rrit metabolizmin e sheqerit në qelizat e shëndetshme.
3. Hejdë. E përdorur tradicionalisht, hejda përmban përbërës kimikë që ulin nivelin e sheqerit në gjak.
4. Qershitë. Qershitë përmbajnë kimikate të quajtura “antokine” që rrisin prodhimin e insulinës.
5. Gujava. Ekstraktet e mollës së gujavës ulin nivelin e sheqerit në gjak.
6. Kakao. Ul rezistencën e insulinës.

Karbohidratet dhe diabeti
Karbohidratet janë një nga tri mikroushqyeset e gjetura në ushqim, dy të tjerat janë yndyrnat dhe proteinat. Karbohidratet mund të jenë të thjeshta dhe të komplikuara. Karbohidratet e thjeshta, ose sheqernat, kanë emra të ndryshme si fruktoza, laktoza dhe surkoza. Karbohidratet e thjeshta gjendjen në qumësht, fruta dhe, sigurisht, në sheqer. Karbohidratet e ndërlikuara janë niseshteja, të cilat janë të përbëra nga shumë përbërje glukozash të përziera, ku mund të përmenden buka, ëmbëlsirat, makaronat. Saktësisht rritja e sheqerit në gjak është në përpjesëtim të drejtë me konsumimin e karbohidrateve. Disa drithëra dhe fruta përmbajnë fibra, të cilat në këtë rast janë një element shumë i rëndësishëm, sepse sa më shumë prezent të jenë fibrat, aq më pak e mundur është që ushqimi të prekë nivelin e sheqerit në gjakun tuaj. Disa drithëra të tjera janë lehtësisht të shndërruara në trupin tuaj në sheqer.

Ilaçet
1-Tiazolidinedionet - veprimi është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës.
2-Glinidet - ky lloj bari shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies).
3-Akarboza - është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak.

Diabeti, ndërlikon edhe organet e tjera
Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrnat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak, dhe kur këto janë respektivisht të menjëhershme, të sëmurët bien në gjendje kome ose në gjumë të thellë. Por sëmundja e diabetit ndikon gjithashtu dhe prek arteriet e zemrës, nga ku mund të shfaqen edhe infarkte, të cilat janë sëmundje tepër të rrezikshme ose kur dëmtohen arteriet e këmbës, shfaqet gangrena e këmbës, kur dëmtohen arteriet e syrit, shfaqet një ndërlikim nga i cili sëmuren të dy sytë edhe i sëmuri mund të humbasë edhe shikimin, kur dëmtohen arteriet e veshkës, shfaqet një dëmtim që në popull njihet me termin azotemia.

Diabeti rrezik për sëmundje të tjera
Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla. Janë më karakteristike e më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta, më të përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre.

Ndërlikimet në sy, probleme të shikimit
Së pari, këto dëmtime shfaqen e vërehen në kapilarët brenda syrit, pikërisht në atë shtresë të tij që quhet retinë. Kjo është një cipë shumë e hollë në fund të syrit që luan rolin vendimtar për shikimin e fotografimin e objekteve. Kapilarët e retinës, nën ndikimin e hiperglicemisë kronike shumëvjeçarë, deformohen, mbyllen, çahen, lëshojnë brenda në sy lëngje dhe hemorragji, të cilat cenojnë retinën e dëmtojnë pamjen, deri në verbim të plotë. Ky ndërlikim quhet retinopatia diabetike dhe është ndër ndërlikimet më të hershme e më të shpeshta të tij. Fatmirësisht ai nuk zhvillohet për një ditë dhe as për një vit. Duhen vite të tëra që retina të arrijë të prishet e të humbasë pamjen. Zbulimi i dëmtimeve fillestarë që quhen mikroaneurizma arrihet me një kontroll fare të thjeshtë të fundit të syrit nga mjeku okulist. Është koha që gjithçka mund të ndreqet. I vetmi "ilaç" për të mjekuar retinopatinë sidomos në fazat e fillimit, është mjekimi korrekt e shembullor i diabetit, normalizimi me fanatizëm i glikemisë. Po nuk u bë kjo, sytë janë në "dorë të fatit". Përveç mjekimit të mirë të diabetit, ata duhet të kenë kujdes të mos përdorin asnjë ilaç të rekomanduar për arsye të tjera pa u konsultuar me mjekun diabetolog. Të sëmurët që kanë shenja hemorragjie në retinë duhet, përveç diabetit, të kontrollojnë vazhdimisht tensionin arterial, ta mbajnë atë gjithmonë në shifra normale e po që i lartë të përdorin patjetër mjekim të vazhdueshëm për ta ulur e normalizuar. Duhet pasur parasysh që përveç dëmtimeve të kapilarëve retinalë diabeti mund të krijojë në sy dhe ndërlikime të tjera, si infeksione, rritje të presionit brenda syrit (glaukoma) dhe sidomos zhvillimin që në moshë të re të perdes (kataraktit). Veç këtyre tek të sëmurët me diabet mund të ndodhin turbullime dhe deri humbje të papritura të pamjes.

Ndërlikimet në veshka
Në veshka behët filtrimi i vazhdueshëm i gjakut. Me anë të këtij filtrimi organizmi eliminon e flak jashtë në urinë, tërë helmet, mbeturinat e "skorjet" që nxjerrin "makineritë" qelizore gjatë punës së tyre. Diabeti si pasojë e hiperglicemisë të vazhdueshme për një kohë të gjatë dhjetëra vjeçare mund të dëmtohen kapilarët e hollë të glomerulave dhe kështu pengohet filtrimi dhe funksionimi i veshkës në tërësi. Ky ndërlikim quhet nefropatia diabetike. Nefropatia, sidomos në fazat e përparuara të saj, kur thuajse bllokohet filtrimi është një ndër ndërlikimet më të rënda e tragjike të diabetit. Për fat të keq me gjithë progresin në mjekimin e diabetit ky komplikacion dramatik vazhdon të mbetet mjaft i shpeshtë. Vetë fillimi i retinopatisë është sinjal i parë alarmi që dëshmon se procesi i dëmtimit të kapilarëve tashmë ka filluar dhe asgjë s'garanton që ai nuk do të prekë e shtrihet edhe në kapilarët e veshkave. Në këtë fazë të parë të hershme avancimi mund të parandalohet me efikasitet thjesht me mjekimin e saktë të diabetit. Dëmtimi që zhvillohet në ta nuk "dhëmb". Prandaj jo rrallë procesi përparon derisa shfaqet një sinjal i dytë. Ky sinjal vjen tashmë nga veshkat e dëmtuara, ku në urinë shfaqet mikroalbumina.

Ndërlikimet nervore
Në dëmtimet e rrjetit kapilar me rëndësi të veçantë janë dhe neuropatitë e diabetit që përfaqësojnë dëmtim e vuajtje të nervave nga kjo sëmundje. Prekja e sistemit nervor mund të jetë shumë më e gjerë, njëhershmi në nervat periferikë, ashtu dhe në nervat e organeve të brendshme. E para, shfaqet në formë dhimbje, mpirje, djegie në formë neuriti. Ulët ndjeshmëria ndaj të ftohtit, të nxehtit e dëmtohen reflekset. Një nga shenjat karakteristike është djegia e shputave të këmbës, sidomos në orët e natës. Në faza më të avancuara nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të padijshëm, nuk përcjellin dot as dhimbjen as të nxehtin, të ftohtin apo prekjen. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtimin dhe shfaqjen e gangrenës në këmbë, që njihet me emrin këmba diabetike. Dëmtimi i nervave ndodh jo vetëm tek ato të ekstremiteteve, por edhe nervave të organeve të brendshme. Ato mund t'u shkaktojnë uljen e papritur të tensionit arterial, me ndjenjë të fikti në çastin kur ngrihen nga shtrati në këmbë. Mund të shfaqen çrregullime të urinimit, çrregullime të stomakut me anoreksi dhe vjellje e sidomos diarre, daljet e shpeshta jashtë, të cilat përsëriten shumë herë gjatë ditës, por karakteristikë është që ato theksohen e bëhen më tepër shqetësuese e gati torturuese gjatë orëve të natës.

Ndërlikimet arteriale të zemrës dhe trurit
Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga pleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndenjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia, etj. Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinëzakë dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhëmb.

Ndërlikimet infeksioze të diabetit
Diabeti mund të fshihet pas infeksioneve të përsëritura të tilla si infeksione të tjera qelbësuese të lëkurës, infeksione urinare, tuberkuloz, infeksione në organet gjenitale, mukoza, infeksione të mishrave të dhëmbëvë, të bajameve, sinusit e sëmundje të gojës në përgjithësi, infeksione të mushkërive, bronkeve, rrugëve të tëmthit, të thonjve të këmbëve, etj. Diabetikët janë më "delikatë", ftohen më lehtë, u ngjitet shpejt rrufa, infeksionet e ndryshme virusale dhe gjithë sëmundjet infektive në përgjithësi. Nga ana tjetër, të sëmurët që e dinë se vuajnë nga diabeti, duhet të kenë kujdes të veçantë që të mbrohen nga infeksionet, sepse këto çrregullojnë rëndë diabetin. Mbrojtja arrihet thjesht me anë të tre masave paraprake. Së pari: respektimi i rregullave të higjienës së trupit, ruajtja nga lagështia, të ftohtit, korrentet e erës, etj. Së dyti: vaksinimi i rregullt kundër të gjitha sëmundjeve infektive duke përfshirë edhe gripin. Së treti: mjekimi i rregullt e i përpiktë i diabetit, ruajtja e ekuilibrit të vazhdueshëm të tij. Lufta më e mirë ndaj infeksioneve është parandalimi i tyre.

Ushqime që mund të përdoren pa kufizim
Zarzavate:
Domate, Kastravecë
Karota
Sallatë jeshilë
Lulelakër
Speca
Panxhar i kuq
Qepë
Rrepë, lakër e bardhë

Lëngjet:
Ujë mineral
Ujë i gazuar
Lëngje zarzavatesh
Kafe ose çaj pa sheqer
Zemra
Ushqime të shëndetshme për zemrën
Përdorni një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra, peshk që mbrojnë zemrën. Limitoni konsumimin e yndyrave, si mish, djathë, gjalpë, qumësht. Përdorni groshët dhe thjerrëzat në vend të mishit. Frutat dhe perimet janë parandaluesit kryesorë jo vetëm të sëmundjeve të zemrës por edhe të kancerit, shprehet kardiologët.

Ushqimet e skuqura dëmtojnë zemrën 
Ushqimet e skuqura, të shpejta dhe me shumë kripë mund të shkaktojnë atak në zemër. Kështu, pakësoni në mënyrë të konsiderueshme ushqimet e skuqura, apo ato që shiten në fast food-e, pasi duke i zëvendësuar me perime dhe fruta, mund të ulni deri në 30 % mundësinë një infarkti në zemër. Është konkluzioni që kanë nxjerrë një grup studiuesish nga një studim mbi zakonin e të ushqyerit, i cili ka përfshirë mbi 16 mijë persona në 52 shtete. Dieta tipike e botës perëndimore është shumë e pasur me yndyrna, mish dhe kripë, të gjitha këto ushqime venë në rrezik shëndetin kardiovaskular.

Vera e bardhë ndihmon zemrën
Deri më tani është menduar se vera e bardhë, ndryshe nga vera e zezë, nuk ka ndikim pozitiv deri në atë shkallë, pasi që pulpa e rrushit nga e cila prodhohet vera e bardhë nuk përmban rezervatrol, sikurse korja nga e cila prodhohet vera e kuqe. Nuk është vetëm vera e kuqe ajo që e mbron zemrën. Një studim i ri ofron qetësi për të gjithë dashamirët e verës së bardhë, pasi që shkencëtarët kanë njoftuar se vera e bardhë e mbron zemrën ngjashëm sikurse edhe vera e zezë. Deri me tani është menduar se vera e bardhe, ndryshe nga vera e zezë, nuk ka ndikim pozitiv deri në atë shkallë, pasi që pulpa e rrushit nga e cila prodhohet vera e bardhë nuk përmban rezervatrol, sikurse korja nga e cila prodhohet vera e zezë.

Dieta ushqimore
Ushqimi juaj duhet të përmbajë pemë, perime, peshk, drithëra etj. Kufizimi i përdorimit të yndyrave duhet të jetë hapi i parë. Mishi, qumështi, gjalpi etj, duhet të konsumohen në sasi të vogël.

Zemra ka nevojë për hekur
Një studim i shkencëtarëve amerikanë tregon se konsumimi i hekurit ndihmon në kontrollin e shtypjes së gjakut dhe faktorëve të tjerë të dëmshëm për zemër. Rezultatet e studimit, që thonë se hekuri është i dobishëm për zemër, mund të shpjegohen me veprimin e antioksiduesve, të pranishëm në hekur. Studimi ka zgjatur 18 javë dhe është bërë në kafshë laboratorike. Krahas uljes së shtypjes së gjakut, konsumimi i hekurit është parë se çon edhe deri te zvogëlimi i proceseve inflamatore në organizëm, duke mbrojtur edhe muskulin e zemrës. Analizat shtesë kanë treguar se hekuri e mbron zemrën më shumë sesa ilaçet për zbritjen e shtypjes së gjakut, thuhet në revistën "Journal of Gerontology".

Porosit biftek zgare 
Mendon se të bën keq për zemrën, por gabohesh. Bifteku përmban selen, i cili rrit imunitetin, si edhe vitamina B, që pakësojnë homocisteinën (aminoacid në gjak, prania e tepërt e të cilit shkakton sëmundje në zemër). Masa e yndyrës deri në 50 % është varietet i shëndetshëm për zemrën.

Pi më shumë çaj 
Meshkujt që pinë 2 filxhanë çaji në ditë kanë 25 % më pak mundësi për të vdekur nga sëmundjet e zemrës sesa ata që rrallë e vënë në gojë. Arsyeja: flavonoidet në çaj, jo vetëm përmirësojnë aftësinë e enëve të gjakut për t’u qetësuar, por gjithashtu hollojnë gjakun, duke reduktuar koagulimin.

Zvogëlo marrjen e kripës 
Kripa e tepërt shkakton rritjen e presionit të gjakut, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve koronare të zemrës. Rri larg ushqimeve të kripura dhe shikoji gjërat para se t’i blesh, nëse kanë përmbajtje të lartë të kripës. E ndoshta edhe gjërat që na duken të shëndetshme kanë sasi të lartë të kripës, kështu që shikoni përmbajtjen e tyre.

Hani fruta dhe perime
Një dietë e shëndetshme ju ndihmon të zvogëloni rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, dhe gjithashtu mund t’ju ndihmojë të rrisni mundësinë e mbijetimit të sulmit të zemrës. Duhet të provoni të keni dietë të balancuar që përmban sasi të mëdha frutash dhe perimesh, peshk, dhe ushqimet si: buka e zezë apo e plotë, pasta dhe oriz. Rri larg ushqimeve siç janë biskota, torta, brumërat e ndryshme, produkteve të qumështit që janë me dozë të lartë të yndyrës së ngopur (saturated) dhe sheqerit.
Ndryshimi i ushqimit dhe efektet
Një prej veprimeve që duhet të bëni për ta parandaluar sulmin në zemër është ndryshimi i ushqimit. Duhet të merrni të gjitha ushqimet, por dominues duhet të jetë ushqimi vegjetarian, i përbëre nga frutat dhe perimet e freskëta, të cilat përmbajnë vitamina dhe minerale. Merrni një lugë vaj ulliri në ditë bashkë me sallatë dhe përdorni më shpesh mishin e peshkut, i cili përmban acide të shumta yndyrore omega-3, që zvogëlojnë kolesterolin dhe si rrjedhojë, edhe rrezikun për sëmundje kardiovaskulare. Disa vezë në javë nuk janë të ndaluara. Edhe mishi lejohet, por pa dhjamë dhe në sasi më të vogël. Po ashtu mund të merren në sasi jo të tepërt edhe arrat, bajamet, lajthitë, por në kokrra të plota.

Substancat që zgjerojnë enët e gjakut
Ka artikuj ushqimorë që përmbajnë substanca të cilat shkaktojnë zgjerimin e enëve të gjakut në tru, e ky është shkaku i dhembjes në tëmthat. Fajtorët kryesorë janë nitritet, shtesat që i qiten mishit të konservuar dhe disa llojeve të sallameve, si dhe disa përbërës të tjerë që u qiten kryesisht artikujve të konservuar. Kujdes të posaçëm duhet kushtuar kafesë: kafeina ngushton enët e gjakut, mirëpo personat që janë mësuar të konsumojnë disa kafe në ditë, në rast të mungesës së rastësishme shkaktohet reaksioni i kundërt, përkatësisht zgjerimi me dhembje i enëve të gjakut.

Rreziku që sjell tepria me kripën
Natriumi, përkatësisht kripa, sigurisht është armiku më i madh i personave që vuajnë nga hipertensioni. Shkaku shpesh shpjegohet me faktin se kripa e tepërt shton sasinë e lëngjeve në gjak dhe "zgjeron" arteriet, gjë që shkakton ngritjen e tensionit. Sasia mesatare e kripës që fusim në organizëm, sillet prej 10-15 gramë në ditë, gjë që është tepër, nëse e dimë se nuk duhet tejkaluar 4-5 gramë në ditë. Këtë sasi nuk është e vështirë ta arrijmë sepse shumë artikuj ushqimore përmbajnë kripë, e shprehia që ushqimi të "kriposet" gjatë zierjes është tepër e përhapur.

Më shumë peshk për zemrën
Peshku duhet të hahet së paku dy herë në javë, sepse është i pasur me thartirën omega-3, e cila ul tensionin dhe ruan arteriet dhe zemrën. Mishi është i pasur me yndyra, të cilat mund të shtresohen në arterie, duke vështirësuar në këtë mënyrë qarkullimin e gjakut dhe shkaktuar ngritjen e tensionit.

Kaliumi aleat i zemrës
Pemët dhe perimet janë të pasura me kalium, mineral i cili ka aftësi për zgjerimin e arterieve. Mjafton që të shtohet në ushqim dhe që tensioni të kthehet në normale. Në mesin e artikujve më të pasur me kalium janë pemët ekzotike, lëngu prej kumbullave, bananeve, dredhëzave, patates, majdanozi dhe domatja.

Ushqimet që ndihmojnë zemrën
Mishi i vicit, i lepurit, bibës, pulës, qumështi pa yndyrë dhe jogurti, peshku i lumit ose i liqenit, buka, orizi, vera, birra (vetëm një gote në dite), margarina, vaji prej misrit, kikirikëve, lulediellit, lakra, trangujt, qepa, patatja, domatja.

Ushqimet që duhen evituar
Mishi i konservuar ose i tharë, sallamet, djathërat e vjetër, peshku në vaj, brumërat me vezë, ëmbëlsirat, çokollata, sasitë më të mëdha të alkoolit, gjalpi, dhjami, frutat e konservuara dhe ushqimi i thartë.

Proteina që shmang problemet kardiake 
Sekreti i rinisë së përjetshme për zemrën mund të jetë i fshehur te një proteine. Zbulimi vjen nga një ekip i Universitetit të Albertas, në Kanada, të cilët kanë studiuar mënyrën sesi kalimi i viteve i transformon mekanizmat ku funksionin muskuli kardiak, për të prodhuar energji duke u nisur nga "karburante" të ndryshme, lëndë ushqyese. Një zemër e re dhe në një shëndet të mirë, normalisht përdor një sasi të caktuar dhe të mjaftueshme të fibrave, sheqernave, drithërave, yndyrave, proteinave, kripërave, etj. Këto "karburante" dhe energji nevojiten për të rikarikuar zemrën për të rrahur dhe për të pompuar gjakun me mjaftueshmëri të plotë. Zbulimi i kësaj proteine, hap perspektiva për rritjen e mirëfunksionimit të zemrës dhe shmangien e problemeve kardiake.

Mungesa e kaliumit sjell probleme
Përse shërben kaliumi? Ky mineral luan një rol thelbësor në kontraksionet e muskujve dhe të zemrës, por edhe në transmetimin e flukseve nervore. Ato ndërhyjnë në funksionimin neuro-muskular dhe ja pse kaliumi lufton edhe kundër ngërçeve. Kaliumi merr pjesë gjithashtu në funksionimin e gjëndrave mbiveshkore që rregullojnë stresin, si dhe në prodhimin e energjisë.

Nevojat e zemrës për natrium
Mungesat më të mëdha të kaliumit vijnë si rezultat i konsumit të tepërt të natriumit përmes kripës. Në fakt, kaliumi dhe natriumi në organizëm, janë në ekuilibër mes tyre. Perëndimorët harxhojnë tri herë më shumë natrium (përmes kripës) se sa kalium. Ky çekuilibër midis dy mineraleve është në origjinë të hipertensionit arterial, të shqetësimeve kardiake apo cerebrale, të humbjes së kalciumit, të gurëve në veshka apo të osteoporozës. Më pak të rënda, por po aq shqetësuese, janë shenjat paralajmëruese të mungesës së kaliumit si lodhja, ngërçet, fryrjet e barkut, vështirësia intestinale.

Ushqimet që përmbajnë kalium për zemrën
Për të zgjidhur problemin dhe rivendosur një ekuilibër rreth harxhimit të tepërt të natriumit, popujt e vendeve perëndimore duhet të konsumojnë më shumë kalium. Mire do të ishte që të konsumohej 4 herë më shumë kalium se sa natrium. Një ushqim i ekuilibruar mund të sjellë vendosjen e një ekuilibri të duhur. Ja pse konsumi i natriumit duhet ulur dhe të mos kalojë 2,5 g në ditë. Duhen shmangur sallamërat, supat e përgatitura në mënyrë industriale, gjellët e fabrikuara dhe që kanë shumë kripë, etj.

Barishtet dhe frutat për zemrën 
Minerali i kaliumit është i pranishëm në bimët. Më të pasura me të janë zarzavatet (si fasulet, thjerrëzat, etj); frutat e thata (hurmat e Arabisë, fiqtë, etj); arrat, bajamet; patatet, zarzavatet jeshile, si spinaqi; frutat e freskëta, etj; të cilat janë një burim i mirë në kalium. Por kujdes, pasi gatimi me ujë bën që zarzavatet të humbasin 50-70 % të kaliumit që kanë. Ja pse duhet përdorur gatimi me avull, ose frutat dhe zarzavatet të konsumohen të gjalla.

Vaji i ullirit parandalon infarktin 
Konsumimi i rregullt i vajit të ullirit, mund të përbëjë një luftë natyrore kundër infarkteve dhe tumoreve, sepse pengon oksidimin e ADN-së dhe plakjen e qelizave. Të paktën ky është përfundimi i dy studimeve paralele të kryera nga studiuesit italianë. Studimet e kryera mbi dy kampione të ndryshme, kanë treguar se funksioni antioksidues i fenolëve, agjentëve kimikë natyralë që ndodhen te ullirit, është i tillë që ka veti mbrojtëse si ndaj sëmundjeve kardiovaskulare (infarkti, iktusi dhe trombozat), ashtu dhe mbi sëmundjet degjenerative (tumoret, sëmundja e Alzhaimerit). Studimet janë kryer nga dy ekipe të ndryshme. Studimet kanë hedhur dritë mbi efektin mbrojtës të fenolëve mbi sistemin kardiak dhe parandalimin e tumoreve.

Vera e dobishme për sëmundjet e zemrës
Pirja e dy gotave verë çdo ditë i bën mirë zemrës së grave. E ndihmon "të mbajë ritmin", i lejon të përshtatet më shpejt nevojave të ditës. Aspekt shumë i rëndësishëm ky, që tregon shëndet shumë të mirë dhe ul rrezikun e infarktit. Në këto përfundime kanë arritur studimet mjekësore nga shkenca dhe mjekët kardiologë. Studimi, i udhëhequr nga Instituti "Karolinska" në Stokholm, ka pasur subjekte 120 gra nën 75 vjeç, të mbijetuara nga të një infarkt ose bllokim venash. Efektet ndryshojnë nëse vera zëvendësohet me birrë ose një pije superalkoolike. Ndërsa vera, e cila ka një efekt relaksues mbi sistemin nervor, i mundëson zemrës "ta marrë me qetësi" punën e saj. Ka mundësi që këto efekte lidhen me faktin se kush pi verë bën një gjumë më të qetë, duke i lejuar zemrën të punojë më qetë.

Anoreksia e dobëson funksionin e zemrës
Tek femrat me anoreksi dhe ato që kanë humbur shumë shpejt peshën e trupit mund të lajmërohen probleme me zemrën, me rrezik për jetën, të cilat bëhen të dukshme gjatë ushtrimeve, pohojnë ekspertët. Dihet se tek femrat e sëmura nga anoreksia paraqiten probleme në zemër, tek të cilat paraqiten të rrahura të pakta në zemër dhe dëmtim të muskulit të zemrës. Përveç kësaj, shkencëtarët besojnë se vdekja e menjëhershme në rastin e të sëmurëve nga anoreksia kryesisht është rezultat i problemeve në zemër. Një grup shkencëtarësh kanë studiuar punën e zemrës tek 36 vajza me moshë prej 11 deri 18 vjet, të cilat trajtoheshin në spital për shkak mosushqyerjes, të shkaktuara nga anoreksia. Këto femra paraqiteshin me probleme serioze me funksionin dhe shpeshtësinë e rrahjeve të zemrës.

Çokollata e zezë e dobishme për zemrën
Kura popullore ka treguar se çokollata e zezë është diçka e mirë për zemrën. Ajo ndihmon në forcimin e arterieve tek ata që pinë cigare dhe ka me shumë antioksidantë në një gram se një gotë verë, çaj apo luleshtrydhet. Studimi i fundit për çokollatën tregon se çokollata e zezë mund të jetë më e mirë nga ç’mendohet dhe disa mund të hanë çokollatë për arsye mjekësore. Po të hash çokollatë të zezë për çdo ditë nga pak, mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut. Çokollata e zezë e ul tensionin sistolik me 2.9 pikë dhe tensionin diastolik, tensionin e ulët, me 1.9 pikë.

Kafeja një terapi e mirë për zemrën 
Kafeja  këshillohet si një terapi e mirë edhe për një sëre sëmundjesh, përfshi atë të zemrës. Por, nuk është e këshillueshme për gratë shtatzëna dhe të sëmurët me ulcerë në stomak. Dhe kafeina në kafe mund të zvogëlojë rrezikun e krizave të astmës, dhe ndihmon në përmirësimin e qarkullimit brenda zemrës. Nuk mund ta mohosh se kafeja nuk është e mirë për të gjithë. Nëse pi më shumë se ç'duhet mund të të bëjë nervoz, të të shkaktojë shpejtim të rrahjeve të zemrës dhe dridhje të duarve.

Dardha largon problemet në zemër
Është një ndër frutat që u rekomandohet të gjithë njerëzve që kanë probleme me zemrën. Pasi dardha me të gjitha përbërjet e veta bën të mundur forcimin e damarëve të zemrës si vendos ekuilibër mes presionit të ulët të gjakut. Pikërisht për këtë arsye, mjekët popullorë këshillojnë që dardhat të konsumohen çdo ditë nga njerëzit që kanë probleme me rrahjet e shpeshta të zemrës, si dhe ata që përjetojnë emocionet të forta.

Vaji i ullirit
Vaji i ullirit është shumë i dobishëm për zemrën dhe ndikon në mirëfunksionimin e saj. Ky vaj ndikon në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak, si dhe ul rrezikun e shfaqjes së kancerit te femrat. Të gjitha llojet e yndyrnave, si gjalpi,margarina dhe vajrat përmbajnë kalori të shumta, por që nga organizmi i njeriut perceptohen në mënyra të ndryshme. Greket e duan dhe janë përdoruesit e parë të vajit të ullirit dhe përdorin shumë pak gjalpin dhe margarinën. Vaji i ullirit është quajtur ndryshe nga mjekësia "Shoku më i mirë për gruan", pasi luan një ndikim shumë pozitiv në mbrojtjen nga kanceri i gjirit. Përmbajtja kryesore në vajin e ullirit është Vitamina E, e cila ka vetinë e rigjenerimit. Në përgjithësi vaji i ullirit, rron gjatë, si dhe duhet të mbahet në ambiente të freskëta dhe të thata, të mbrojtura nga drita.

Kakaoja mbron nga sëmundjet e zemrës 
Kakaoja mbron nga sëmundjet kardiovaskulare, stimulon neuronet, kuron gjendjen shpirtërore. Ajo ka të gjitha vetitë e çokollatës. Stimuluese, antidepresive, për çdo nevojë afrodiziake. Për disa persona nuk ka shumë ndryshime nga një drogë. Kakaoja, mes të gjitha ushqimeve, është burimi më i pasur me "flavanoli", substanca biologjikisht aktive, të cilat gjenden tek ushqimet bimore. Të mos i ngatërrojmë me "flavanoli"-t e verës, të cilat mungojnë te kakaoja. Ato janë substanca intoksikuese, që gjenden në brendësi të saj, që mbrojnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ndihmojnë në mbajtjen hapur të arterieve. Pak kakao mund t‘i japë një shtysë kujtesës. Kakaoja, si çaji dhe kafeja, përmban substanca të ngacmuese të cilat veprojnë mbi receptorët e sistemit nervor, duke rregulluar efektshmërinë e qelizave. “Flavanoli” nxit një pjesë të mirë të përgjigjeve të neuroneve, që është reagimi i parë në bazë të fenomeneve shumë të vështira të kujtesës dhe kuptimeve. Kakaoja përmban Flavan-3-ols, një përbërës i cili ndihmon në uljen e presionit të gjakut. Përbërësit e kakaos njihen si nga antioksidantët më të përqendruar dhe që ju mbrojnë realisht nga sëmundjet e zemrës dhe nga kanceri. Po ashtu, mos harroni edhe çokollatën e zezë, e cila ju mbron nga rreziku i vdekjes.

Google+ Followers